Categorized | Prishtina, Prishtine

Në Prishtine kërkojnë tokë 70 institucione qendrore

Rreth 70 kërkesa kanë adresuar institucionet e nivelit qendror në Komunën e Prishtinës, që kjo e fundit të ndajë parcela për to si dhe në disa raste të verifikojë pronësinë dhe ligjshmërinë e pronës, shkruan Koha Ditore.

Në listën e institucioneve që presin tokë nga Prishtina, prin Qeveria e Kosovës me gjithsej  23 kërkesa, pastaj radhitet Agjencia Kosovare e Pronës me 15 kërkesa, Këshilli Gjyqësor me 11 kërkesa, Agjencia Kosovare e Privatizimit me 3 kërkesa, Agjencia Kadastrale me 2 kërkesa, Instituti Sizmologjik me 1 kërkesë, Bashkësia Islame me 6 kërkesa, Agjencia Kundër Korrupsionit me 1 kërkesë si dhe ndërmarrjet e nivelit qendror (KEK-u, PTK-ja)  me 7 kërkesa.

Këto të dhëna janë siguruar nga raporti vjetor i Komunës së Prishtinës, i cili i referohet periudhës dymbëdhjetëmujore të vitit të kaluar.

“Këto kërkesa kanë qenë për ofrimin e provave dhe dokumentacion, si dhe ofrimin e lokacioneve për ndërtimin e objekteve me interes të përgjithshëm publik”, thuhet në këtë raport. Sipas po këtij dokumenti, Komuna e Prishtinës ka arritur t’i zgjedhë kërkesat e parashtruara në lëmin e drejtësisë, atë të arsimit, si dhe të kategorive sociale të cilat kërkesa në komuna janë parashtruar nga MPMS-së. “Komuna e Prishtinës ka ndarë lokacionin në rreth 5 hektarë tokë në zonën e quajtur ‘Prishtina e re’ për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, Shtëpisë Presidenciale, si dhe të disa rezidencave të tjera institucionale. Ndërsa më herët ngjashëm është vepruar edhe me Universitetin e Prishtinës”, thuhet në raportin e komunës, teksa thuhet më lehtë zgjidhen kërkesat nga MASHT-i, ngase ndarja e pronës ka të bëjnë për ndërtimin e shkollave në zonat e kryeqytetit. “Në këto raste llogaritet domosdoshmëria e ndërtimit të shkollave si dhe hapësira, e cila mund të jetë anësore”, thuhet më tej në raportin e Komunës së Prishtinës. Ndryshe të martën në komunë kanë thënë se ky institucion po e ka të pamundur t’u përgjigjet pozitivisht të gjitha kërkesave për ndarje pronash. “Pothuajse të gjitha kërkesat të cilat vijnë për ndarje pronash në Prishtinë nga ana e institucioneve të nivelit qendror kërkojnë që zona të jetë diku qendra e Prishtinës, hapësirë kjo e cila është mbingarkuar dhe nuk ka lokacion të përshtatshëm, i cili mund të ndahet për ndërtime objektesh tjera institucionale”, ka thënë Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës. Sipas tij, ka raste kur komuna nxjerr vendim për ndarje të lokacionit, ndërsa institucioni i cili ka parashtruar kërkesën nuk ndahet i kënaqur me lokacionin e ndarë. “Kemi raste kur komuna ka ndarë lokacion, madje edhe në qendër siç është rasti me Bashkësinë Islame të Kosovës, e cila ka shfaqur pakënaqësi me vendimin e komunës”, ka potencuar Gashi. Nga ana tjetër kreu i Prishtinës, Isa Mustafa, gjatë një interviste të dhënë për “Koha Ditore” në fillim të këtij viti, kërkesat që vijnë nga institucionet qendrore në adresë të komunës i ka parë si dëshmi se nga niveli qendror Prishtina do të duhet të kishte një tretman më të veçantë në krahasim me komunat e tjera në vend.

“Prishtina është kryeqytet, këtu janë të gjitha institucionet, ato vazhdimisht kërkojnë parcela toke, vendparkingje dhe shërbime tjera komunale, ndërsa kur është fjala te dhënia e një granti shtesë financiar për kryeqytetin, ato marrin qëndrim kundër”, ka thënë Mustafa. Ky i fundit e pati quajtur paradoksale që Prishtina të krahasohet me komunën e Parteshit.

“Prishtina aktualisht nga niveli qendror nuk trajtohet për asnjë dimension ndryshe nga komunat tjera me të vogla të vendit, ndërsa Prishtina duhet të mendojë dhe të angazhohet për ndarje tokash për këto institucione. Aktualisht në qendër të qytetit është e pamundur të gjendet ndonjë lokacion i përshtatshëm që do të mund t’i dedikohet ndonjë institucioni, atje ku komuna ka hapësirë është zona e quajtur Prishtina e re, si dhe zona ekonomike”, ka potencuar mes tjerash Mustafa.

Gazeta nuk ka arritur të martën të sigurojë qëndrim të Qeverisë së Kosovës në lidhje me këto çështje. Por, në një prononcim të mëhershëm për gazetën kreu i MPB-së, Bajram Rexhepi, pati kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të jetë më azhure ndaj kërkesave që parashtrojnë institucionet e nivelit qendror.

“Kemi parashtruar disa herë radhazi kërkesa në Komunë të Prishtinës, por për shkaqe të tyre jemi vonuar në nisjen dhe finalizimin e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Prishtinë dhe do të duhet që për një dokument të mbesin gjerat pezull”, pati thënë Rexhepi.

Incoming search terms:

Leave a Reply

Rent A Car Prishtina

rent a car prishtina

Prishtina Kamera Live